
Në javën e parë të muajit dhjetor, u zhvillua aktiviteti përmbyllës i projektit 6-mujor (qershor–nëntor), i cili ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e mirëqënies, shëndetit dhe në fuqizimin psiko-social të të rinjve, zhvillimin e aftësive personale dhe përgatitjen e tyre për një angazhim aktiv në punë dhe në jetën komunitare.
Momentet kryesore të takimit
✔️ Përshëndetja hyrëse
Takimi u hap me përshëndetjen e drejtuesit të Shoqatës, Luigj Mila i cili theksoi rëndësinë e investimit të qëndrueshëm në krijimin e mundësive të barabarta për personat me aftësi të kufizuara. Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët dhe mbështetësit që mundësuan realizimin e plotë të projektit.
✔️ Prezantimi i ecurisë së projektit
Koordinatorja e projektit, Suela Ndoja prezantoi një përmbledhje të detajuar të punës së zhvilluar në mini-laboratorë, duke vlerësuar progresin e të rinjve, rritjen e aftësive praktike dhe ndikimin e qëndrueshëm të programit në jetën e tyre të përditshme.
✔️ Përvoja nga stafi dhe vullnetarët
Stafi dhe vullnetarët ndanë reflektime personale mbi angazhimin e tyre në projekt, duke theksuar bashkëpunimin, përkushtimin dhe emocionet pozitive të punës me të rinjtë.
Në shenjë falënderimi, atyre iu dorëzuan certifikata vullnetarizmi dhe dhurata simbolike.
✔️ Zëri i të rinjve
Përfaqësues të mini-laboratoreve nga grupi i përfituesve ndanë përshtypjet e tyre mbi eksperiencën në laboratorë, duke shprehur:
• gëzimin për mundësinë për të mësuar aftësi të reja,
• besimin e fituar përmes punës praktike,
• kënaqësinë për të qenë pjesë e një grupi mbështetës,
• dëshirën për të vijuar angazhimin në aktivitete dhe punë krijuese.
Fjalët e tyre sollën emocione dhe dëshmi të qarta për rëndësinë e projektit në jetën e tyre të përditshme.
Mini-laboratorët e zhvilluar gjatë projektit
Gjatë projektit u zhvilluan katër mini-laboratorë praktikë, me përfshirjen e 49 të rinjve me fokus kyç tek 29 të rinjtë, të ndarë sipas interesave dhe aftësive të tyre:
• Pirografi – 6 të rinj
• Kopshtari – 8 të rinj
• Artizanat – 8 të rinj
• Punime kreative/ekspresive – 7 të rinj
Aktivitetet janë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme dhe të strukturuar, kanë marrë një dietë mujore duke u fokusuar në rritjen e aftësive praktike, shprehjen kreative dhe forcimin e autonomisë së pjesëmarrësve.
Një pjesë e rëndësishme e punës u realizua në Qendrën e Aktivizimit Ditor “Antonio Bozza”, një hapësirë e dedikuar zhvillimit, edukimit dhe integrimit social të të rinjve.
Rezultatet kryesore të projektit
✔️ Mini-laboratori i Pirografisë (6 të rinj)
• Përvetësuan teknika bazë dhe të avancuara të pirografisë, duke krijuar punime të personalizuara.
• Rritën përqendrimin, durimin dhe aftësinë për të ndjekur hapa teknikë.
• Fitimin e vetëbesimit përmes ekspozimit të punimeve të tyre dhe marrjes së feedback-ut pozitiv.
• Zhvilluan ndjeshmëri estetike dhe aftësi krijuese me potencial për vetëpunësim në të ardhmen.
✔️ Mini-laboratori i Kopshtarisë (8 të rinj)
• Mësuan teknikat bazë të kultivimit, mbjelljes, mirëmbajtjes së bimëve dhe organizimit të hapësirës së gjelbër.
• Përmirësuan aftësitë motorike dhe zhvilluan përgjegjësi të qëndrueshme për kujdesin ndaj mjedisit.
• Rritën ndërgjegjësimin ekologjik dhe aftësinë për punë në grup.
• Disa prej tyre treguan interes dhe potencial për të vijuar me angazhime praktike në kopshtari ose bujqësi urbane.
✔️ Mini-laboratori i Artizanatit (8 të rinj)
• Përvetësuan teknika të ndryshme artizanale (punime me materiale të riciklueshme, punime të dorës, suvenire, punime zbukuruese).
• Rritën shkathtësinë manuale dhe aftësinë për të krijuar produkte unike me vlerë tregu.
• Mësuan të planifikojnë dhe të përfundojnë projekte të vogla, duke rritur ndjenjën e përgjegjësisë dhe kënaqësinë për punën e kryer.
• Përforcuan aftësinë për të komunikuar dhe bashkëpunuar gjatë proceseve krijuese.
✔️ Mini-laboratori i Punimeve Kreative/Ekspresive (7 të rinj)
• Aftësi përmes artit u shprehën lirshëm, duke rritur vetëbesimin dhe vetëvlerësimin.
• Përmirësuan komunikimin emocional dhe qasjen pozitive ndaj vetes dhe grupit.
• Rritën kreativitetin, imagjinatën dhe aftësinë për të shprehur mendime e ndjesi në mënyrë artistike.
• Përjetuan rritje të dukshme në motivim dhe në angazhim të qëndrueshëm gjatë seancave.
Përmbledhje e rezultateve të përgjithshme
1️ Rritja e motivimit, vetëbesimit dhe vetëvlerësimit:
Të rinjtë fituan besim në aftësitë e tyre, u aktivizuan rregullisht dhe treguan gatishmëri më të madhe për të marrë pjesë në procese të reja mësimore dhe praktike.
2️ Zhvillimi i aftësive për përfshirje aktive në komunitet dhe në tregun e punës:
Aftësitë e fituara në pirografi, kopshtari, artizanat dhe punime kreative mund të shërbejnë si bazë për orientim profesional të mëtejshëm, angazhim praktik ose aktivitete fitimprurëse në nivel komunitar.
Aktualisht janë 8 të rinj punëkërkues pranë Zyrës Rajonale të Punësimit. Dy prej tyre kanë filluar punë tek fasoneri të qytetit të Shkodrës.
3️ Nxitja e pavarësisë dhe përgatitja për një jetë më të qëndrueshme dhe të pavarur:
Përmes aktiviteteve të strukturuara, të rinjtë mësuan të marrin iniciativa, të organizojnë detyra dhe të ndërtojnë rutina të qëndrueshme, duke rritur ndjeshëm nivelin e autonomisë së tyre.
Falënderime
• Projekti u realizua falë mbështetjes së Credins Foundation, si edhe kontributit të shumë bashkëpunëtorëve dhe dashamirësve. Shprehim mirënjohjen më të thellë për besimin dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm.
Përmbyllje
• Së bashku po ndërtojmë ura drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse, më të drejtë dhe me më shumë mundësi për të gjithë.