Letër Pozicionimi / Advokimi

DREJTUAR: Këshillit Bashkiak Shkodër

Në vëmendje të: Kryetarit të Këshillit Bashkiak Shkodër

LËNDA: Kërkesë për ushtrimin e kompetencave ligjore të Këshillit Bashkiak në garantimin e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në politikat mjedisore dhe në masat për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike.

BAZA LIGJORE:
•  Ligji nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”;
•  Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”;
•  Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD), e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë, nenet 4, 5, 9, 11 dhe 29;
•  Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 18;
•  Ligji nr. 10221/2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, nenet 3 dhe 5.
Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak,
Me anë të kësaj Letre Pozicionimi/Advokimi, organizatat e shoqërisë civile, komuniteti dhe përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuara (PAK) i drejtohen Këshillit Bashkiak Shkodër, si organ përfaqësues dhe vendimmarrës i pushtetit vendor, për të kërkuar ushtrimin aktiv të kompetencave të tij ligjore në garantimin e përfshirjes reale dhe efektive të personave me aftësi të kufizuara në politikat mjedisore, planifikimin urban, menaxhimin e emergjencave natyrore dhe në masat e adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike


Këshilli Bashkiak, në ushtrim të funksioneve të tij mbikëqyrëse, rregullatore dhe miratuese, mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për miratimin e politikave, planeve dhe buxheteve vendore, të cilat duhet të reflektojnë nevojat e grupeve e cënueshme, përfshirë personat me aftësi të kufizuara

Kjo Letër Pozicionimi/Advokimi paraqet qëndrimet dhe rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile (OSHC), komunitetit dhe aktorëve të tjerë të interesuar, me qëllim forcimin e përfshirjes dhe garantimin efektiv të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara (PAK) në nivel vendor, duke theksuar nevojën për veprime konkrete dhe të matshme nga institucionet përgjegjëse.

Në kuadër të zbatimit të projektit “Reagim Aktiv: OSHC-të dhe Personat me Aftësi të Kufizuara për Mjedisin në Bashkinë Shkodër”, i zbatuar nga Shoqata “Projekti Shpresa”, i mbështetur nga Green-AL në kuadër të programit “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024–2027”, projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) dhe i zbatuar nga Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo, organizatat e shoqërisë civile dhe komuniteti i personave me aftësi të kufizuara (PAK) rikujtojnë nevojën urgjente për ndërmarrjen e masave konkrete dhe të menjëhershme për të garantuar përfshirjen efektive në vendimmarrje mbi çështjet mjedisore dhe ndikimet klimatike.

 Ky dokument mbështetet në përvojën e trajnimit 4 ditor “Ndërgjegjësim, Advokim dhe Përfshirje Sociale për PAK në Çështje Mjedisore”, i zhvilluar në Qendrën Rinore “Atelie”, Bashkia Shkodër, gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2025, ku morën pjesë 30 persona, duke përfshirë:
• 5 organizata të shoqërisë civile (OSHC) që punojnë drejtpërdrejt me personat me aftësi të kufizuara, secila e përfaqësuar nga 1–2 persona;
• 2 organizata që zbatojnë projekte për grupet më të vulnerabël, përfshirë personat e prekur nga emergjencat natyrore dhe ndikimet klimatike;
• 3 institucione që ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuara;
• institucione që ofrojnë shërbime për persona me probleme të shëndetit mendor;
• 15 persona me aftësi të kufizuara;
• kujdestarë dhe familjarë të personave me aftësi të kufizuara.

Gjatë trajnimit 4-ditor, pjesëmarrësit identifikuan disa sfida kritike që pengojnë përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara (PAK) në çështjet mjedisore dhe në menaxhimin e emergjencave natyrore:
1. Aksesueshmëria fizike dhe informative
Sfida: Hapësirat publike dhe informacioni mbi masat emergjente dhe ndikimet klimatike shpesh nuk janë të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara (PAK), duke kufizuar aksesin e tyre në informacion dhe shërbime.
Baza ligjore:
• Ligji nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, i cili detyron institucionet publike të sigurojnë aksesueshmëri fizike dhe informacion të përshtatshëm për PAK;
• Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD),
Neni 9 – Aksesueshmëria, që kërkon eliminimin e pengesave fizike dhe të informacionit për PAK.
2. Pjesëmarrja në vendimmarrje
Sfida: Personat me aftësi të kufizuara nuk përfshihen në mënyrë sistematike në planifikimin e strategjive mjedisore dhe në proceset e vendimmarrjes për menaxhimin e emergjencave.
Baza ligjore:
• Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili përcakton përgjegjësinë e bashkive për përfshirjen e komuniteteve lokale në proceset vendimmarrëse;
• CRPD, Neni 29 – Pjesëmarrja në jetën publike dhe politike, që kërkon garantimin e pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara në vendimmarrje dhe në hartimin e politikave publike.
3. Mungesa e planifikimit dhe buxhetimit të dedikuar Sfida: Në nivel vendor mungojnë linja të qarta financiare dhe mekanizma buxhetorëpër zbatimin e masave që garantojnë përfshirjen efektive të personave me aftësi të kufizuara.
Baza ligjore:
• CRPD, Neni 4 – Detyrimet e përgjithshme, që detyron shtetet palë të sigurojnë burimet e nevojshme për përfshirjen dhe mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara.
4. Ndikimet e emergjencave natyrore dhe ndryshimeve klimatike
Sfida: Personat me aftësi të kufizuara janë ndër grupet më të rrezikuara gjatë fatkeqësive natyrore, shpesh pa mbështetje të përshtatshme dhe mekanizma të aksesueshëm reagimi.
Baza ligjore:
• Ligji nr. 93/2014 dhe Ligji nr. 139/2015, që kërkojnë politika mbrojtëse dhe përfshirëse për grupet e cenueshme;
• CRPD, Neni 11 – Situatat e rrezikut dhe emergjencat humanitare, që detyron shtetet të marrin masa për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara gjatë emergjencave natyrore dhe fatkeqësive;
• Instrumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për menaxhimin e emergjencave dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, të cilat kërkojnë mbrojtjen dhe përfshirjen e grupeve më vulnerabël. Parimi kushtetues i barazisë Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Neni 18 – Barazia para ligjit,
“Të gjithë janë të barabartë para ligjit.”
Kjo nënkupton se çdo politikë publike vendore që:
• përjashton de facto personat me aftësi të kufizuara, ose
• nuk ndërmerr masa pozitive për përfshirjen e tyre,cenon parimin kushtetues të barazisë reale dhe jo vetëm formale.
2. Rekomandime konkrete me afate dhe indikatorë

• Brenda 3 muajve

1. Krijimi i Këshillit Konsultativ për Personat me Aftësi të Kufizuara (PAK) në Çështje
Mjedisore pranë Bashkisë Shkodër
• Përbërja: të paktën 5–7 përfaqësues të PAK dhe organizatave të shoqërisë civile
(OSHC).
• Indikator: Përfaqësues të PAK të përfshirë në mbi 80% të takimeve të Këshillit.
2. Auditimi i aksesueshmërisë së hapësirave publike dhe informimit mbi emergjencat dhe ndikimet klimatike
• Përfshin: ndërtesa publike, trotuare, parqe, informacion online dhe sistemet e informimit mbi masat emergjente.
• Indikator: Raporti fillestar i auditimit i publikuar dhe i shpërndarë publikisht.

Brenda 6 muajve

1. Hartimi dhe miratimi i Planit Lokal për Aksesueshmërinë dhe Pjesëmarrjen e PAK, me linjë të dedikuar buxhetore
• Përfshin: investime të reja, politika për aksesueshmërinë dhe mekanizma për pjesëmarrjen e PAK në vendimmarrje.
• Indikator: mbi 90% e investimeve të reja të përputhura me standardet e
aksesueshmërisë.
2. Integrimi i standardeve të aksesueshmërisë dhe përfshirjes së PAK në çdo investim të ri mjedisor, duke përfshirë parqet dhe hapësirat publike
• Indikator: Çdo projekt i ri publikohet me raport të aksesueshmërisë dhe plan veprimi për përfshirjen e PAK.

• Brenda 12 muajve
1. Publikimi i raportit vjetor mbi progresin e masave të ndërmarra
• Indikator: Raporti i publikuar online dhe në media lokale, duke përfshirë të dhëna mbi aksesueshmërinë dhe pjesëmarrjen e PAK.
2. Organizimi i trajnimeve periodike për stafin institucional dhe komunitetin
• Tema: përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në menaxhimin e emergjencave natyrore dhe ndikimeve klimatike.
• Frekuenca: të paktën 2 trajnime në vit.
• Indikator: 80% e stafit përkatës pjesëmarrës në trajnimet e planifikuara.
3. Vendosja e indikatorëve të matshëm për vlerësimin e ndikimit social
• Përfshin: numrin e personave me aftësi të kufizuara të përfshirë, përmirësimin e aksesueshmërisë dhe nivelin e kënaqësisë së tyre.
• Indikator: Raporti i progresit përfshin sondazhe të kënaqësisë dhe masa konkrete të përmirësimit të aksesueshmërisë.

3. Kërkesë për takim institucional dhe pjesëmarrje në Forumin Social


Organizatat e shoqërisë civile (OSHC) dhe komuniteti i personave me aftësi të kufizuara (PAK) kërkojnë organizimin e një takimi zyrtar pune me përfaqësues të institucioneve përkatëse, konkretisht:
• Kryetarin e Bashkisë;
• Drejtorinë e Shërbimeve Sociale;
• Drejtorinë Rajonale të Mjedisit;
• Drejtorinë e Planifikimit dhe Investimeve.
Qëllimi i takimit është:
• Diskutimi i rekomandimeve të nxjerra gjatë trajnimit dhe nga procesi i përgatitjes së kësaj Letre Pozicionimi/Advokimi;
• Dakordësimi për një plan veprimi konkret, si dhe përcaktimi i përgjegjësive institucionale për zbatimin e tij;
• Përcaktimi i pikave të kontaktit institucional, me qëllim monitorimin e progresit dhe koordinimin ndërinstitucional;
• Sigurimi i pjesëmarrjes aktive të përfaqesuese të institucioneve përkatëse në Forumin Social, i cili do të zhvillohet në përmbyllje të projektit, në javën e fundit të muajit mars, konkretisht me date 27 Mars, ora 10.00-12.00 te Salla e Këshillit Bashkiak, Shkoder, me qëllim diskutimin me të gjithë aktorët përkatës dhe promovimin e rekomandimeve për zbatimin e masave gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara në çështjet mjedisore. Kjo qasje synon që takimi institucional të mos mbetet një aktivitet i izoluar, por të jetë pjesë e një procesi gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues, duke integruar komunitetin, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet publike. Në këtë mënyrë synohet rritja e transparencës, efektivitetit dhe përgjegjësisë institucionale në zbatimin e masave përfshirëse për personat me aftësi të kufizuara në politikat dhe veprimet mjedisore.
4. Angazhimi i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Komunitetit Organizatat e shoqërisë civile (OSHC) dhe komuniteti i personave me aftësi të kufizuara angazhohen për:
• Ofrimin e ekspertizës teknike në proceset e planifikimit dhe zbatimit të masave përfshirëse;
• Monitorimin publik të progresit në zbatimin e rekomandimeve dhe politikave përkatëse;
• Lehtësimin e dialogut ndërmjet komunitetit dhe institucioneve publike, me qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe përfshirjes;
• Mbështetjen në hartimin e dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit, që lidhen me çështjet mjedisore dhe përfshirjen sociale;
• Sigurimin e informimit transparent dhe periodik për komunitetin dhe publikun mbi përparimin e zbatimit të masave të propozuara.

5.Baza ligjore dhe institucionale e kërkesave Kërkesat e parashtruara në këtë dokument mbështeten në kuadrin ligjor dhe institucional në fuqi, konkretisht në:
Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili i ngarkon Këshillit Bashkiak kompetencën për:
• miratimin e planeve strategjike vendore;
• miratimin e buxhetit dhe shpërndarjen e fondeve publike;
• mbikëqyrjen e veprimtarisë së administratës bashkiake;
• garantimin e pjesëmarrjes së komunitetit në proceset vendimmarrëse.
Ligjin nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, i cili detyron autoritetet publike vendore të ndërmarrin masa konkrete për:
• aksesueshmërinë fizike dhe informative;
• eliminimin e barrierave në shërbimet publike;
• përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara (PAK) në politikat dhe programet publike.
Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD), e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë, e cila ka fuqi detyruese ligjore dhe kërkon:
• aksesueshmëri (neni 9);
• pjesëmarrje në jetën publike dhe në vendimmarrje (neni 29);
• mbrojtje të posaçme në situata rreziku dhe emergjencash (neni 11);
• sigurimin e burimeve financiare dhe administrative për zbatimin e të drejtave (neni
4).
Ligjin nr. 10221/2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”
Sipas nenit 3 dhe nenit 5, diskriminimi për shkak të aftësisë së kufizuar përfshin edhe situatat kur nuk merren masa të përshtatshme për garantimin e përfshirjes së personave me aftësi
të kufizuara.
Mosmarrja e masave të përshtatshme për PAK:
• përbën diskriminim indirekt,
• edhe në rastet kur nuk ekziston një qëllim i drejtpërdrejtë diskriminues.
Në këtë kuadër, Këshilli Bashkiak ka detyrimin jo vetëm të shmangë diskriminimin, por edhe të ndërmarrë masa aktive për parandalimin dhe korrigjimin e diskriminimit strukturor.
Mosintegrimi i këtyre detyrimeve në politikat vendore përbën shkelje të parimit të barazisë dhe të përfshirjes, si dhe cenon detyrimet ligjore të pushtetit vendor.

• Gjetjet nga procesi konsultues dhe trajnimi 4-ditor Nga procesi konsultues dhe trajnimi 4-ditor i zhvilluar me organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetin e personave me aftësi të kufizuara, rezultoi se:
1. Hapësirat publike, infrastruktura dhe informacioni mbi emergjencat natyrore nuk janë të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.
2. Personat me aftësi të kufizuara nuk përfshihen në mënyrë të strukturuar në proceset vendimmarrëse që lidhen me çështjet mjedisore.
3. Nuk ekzistojnë politika të miratuara dhe buxhete të dedikuara për përfshirjen e PAK në politikat mjedisore dhe të emergjencave.
4. Planet e menaxhimit të emergjencave nuk adresojnë në mënyrë specifike nevojat e personave me aftësi të kufizuara. Këto mangësi kërkojnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Këshillit Bashkiak, në ushtrim të funksionit të tij rregullator dhe mbikëqyrës.

• Kërkesat drejtuar Këshillit Bashkiak Shkodër Në ushtrim të kompetencave ligjore, kërkohet që Këshilli Bashkiak Shkodër:
1. Të miratojë një vendimmarrje për krijimin e një mekanizmi konsultativ të përhershëm për personat me aftësi të kufizuara në çështjet mjedisore.
2. Të kërkojë nga administrata bashkiake hartimin dhe paraqitjen për miratim të Planit Lokal për Aksesueshmërinë dhe Pjesëmarrjen e PAK, të shoqëruar me buxhet
të dedikuar për zbatimin e tij.
3. Të kushtëzojë miratimin e investimeve mjedisore me respektimin e standardeve të aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara.
4. Të ushtrojë kontroll periodik mbi zbatimin e masave, përmes raporteve vjetore të detyrueshme të progresit.

• Kërkesë për shqyrtim institucional

Në këtë kuadër, kërkohet organizimi i një seance dëgjimore ose takimi zyrtar pranë Këshillit Bashkiak, me pjesëmarrjen e institucioneve përkatëse, organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, me qëllim:
• shqyrtimin e kësaj Letre Pozicionimi/Advokimi,
• diskutimin e rekomandimeve të paraqitura,
• dhe dakordësimin e hapave konkretë institucionalë për zbatimin e tyre.

6. Mesazhi përfundimtar
Ky dokument synon të krijojë një model të qëndrueshëm bashkëpunimi midis:
• Bashkisë Shkodër,
• Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC),
• Komunitetit të personave me aftësi të kufizuara (PAK), dhe
• institucioneve mjedisore, me qëllim përmirësimin e jetës së përditshme të PAK dhe rritjen e gatishmërisë së qytetit për t’u përballur me sfidat mjedisore dhe emergjencat klimatike.
Një qytet gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm ndaj ndryshimeve klimatike është një qytet i drejtë, i sigurt dhe demokratik për të gjithë qytetarët. Përfshirja e PAK nuk është opsionale
— ajo përfaqëson një detyrim ligjor, social dhe moral, duke synuar integrimin real të tyre në proceset vendimmarrëse mjedisore. Këshilli Bashkiak, si organ përfaqësues i qytetarëve, ka rol kyç në garantimin e këtij standarti.
Organizatave dhe palëve të përfshira u mbetet të gatshme bashkëpunimi konstruktiv dhe dialogu institucional, duke kontribuar në krijimin e një modeli të mirëqeverisjes gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, që garanton përfshirjen reale dhe efektive të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha nivelet e vendimmarrjes mjedisore.
Bashkëlidhur me këtë mesazh gjenden rekomandimet strategjike të hartuara për zbatim nga Këshilli Bashkiak dhe institucionet përkatëse.

REKOMANDIME STRATEGJIKE DREJTUAR KËSHILLIT BASHKIAK SHKODËR
I. Rekomandime normative dhe vendimmarrëse

1. Miratimi i një vendimi të Këshillit Bashkiak për krijimin e një mekanizmi të përhershëm konsultativ për Personat me Aftësi të Kufizuara (PAK) në çështjet mjedisore, planifikimin urban dhe menaxhimin e emergjencave natyrore.
2. Përfshirja e detyrueshme e përfaqësuesve të PAK dhe OSHC-ve në proceset konsultuese për çdo plan, strategji ose projekt mjedisor që miratohet nga Këshilli Bashkiak.
3. Miratimi i akteve nënligjore vendore që përcaktojnë standardin minimal të aksesueshmërisë në çdo investim publik mjedisor.
II. Rekomandime programore dhe strategjike
1. Hartimi dhe miratimi i Planit Lokal për Aksesueshmërinë dhe Pjesëmarrjen e PAK, si dokument strategjik i detyrueshëm për administratën bashkiake.
2. Integrimi i çështjeve të PAK në planet vendore për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, përfshirë planet e emergjencave dhe mbrojtjes civile.
3. Përditësimi i planeve ekzistuese të emergjencave me protokolle specifike për mbrojtjen dhe evakuimin e PAK.
III. Rekomandime financiare dhe buxhetore
1. Parashikimi i një linje buxhetore të dedikuar për aksesueshmërinë dhe përfshirjen e PAK në buxhetin vjetor të Bashkisë Shkodër.
2. Kushtëzimi i miratimit të investimeve publike me respektimin e standardeve të aksesueshmërisë fizike dhe informative.
3. Sigurimi i fondeve për auditime periodike të aksesueshmërisë së hapësirave publike
dhe shërbimeve mjedisore. IV. Rekomandime administrative dhe monitoruese
1. Detyrimi i administratës bashkiake për raportim periodik pranë Këshillit Bashkiak mbi zbatimin e masave për PAK.
2. Publikimi i raporteve vjetore të progresit, për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie institucionale.
3. Vendosja e indikatorëve të matshëm për vlerësimin e ndikimit social të politikave mjedisore mbi PAK.
V. Rekomandime për kapacitet dhe ndërgjegjësim
1. Organizimi i trajnimeve të detyrueshme për administratën bashkiake dhe strukturat e emergjencave mbi përfshirjen e PAK.
2. Zhvillimi i fushatave informuese të aksesueshme për komunitetin, veçanërisht mbi masat e emergjencave dhe rreziqet mjedisore.
3. Forcimi i bashkëpunimit institucional ndërmjet Bashkisë, OSHC-ve dhe komunitetit
të PAK.
VI. Rekomandime për dialog institucional
1. Organizimi i një seance dëgjimore në Këshillin Bashkiak, për shqyrtimin e kësaj letre dhe ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve.

2. Përcaktimi i një pike kontakti institucionale, përgjegjëse për koordinimin e masave për PAK.
Këto kërkesa dhe rekomandime mbështeten në:Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë,
Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Ligjin nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, Ligjin nr. 10221/2010 “Për mbrojtjen
nga diskriminimi”, Ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD), të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë

HARTUAR DHE MBËSHTETUR:

Hartuar nga:
• Shoqata udhëheqëse e projektit: Projekti Shpresa, Shkodër
Mbështetur nga:
Organizatave të Shoqërisë Civile dhe shoqata për PAK:
• Madonnina del Grappa
• Para- Tetraplegjikeve, Dega Shkoder
• The Door
• Komuniteti Papa Giovani XXIII – Shkodër
Institucione shtetërore për PAK:
• Qendra e Zhvillimit Shtetëror Shkodër
• Shkolla Speciale “3 Dhjetori” – Shkodër
• Qendra Harmonia
Institucione shtetërore për PAK dhe shëndetin mendor:
• Shtëpia Psikiatrike e Mbështetur per Gra dhe Burra
Organizata për grupet më vulnerabël:
• Malteser Albania
Organizata të tjera:
• Alternativa Studentore
Komuniteti dhe familjarët:
• Familjarë dhe kujdestarë të PAK
• Personat me aftësi të kufizuara
Për Shoqatën “Projekti Shpresa”

Luigj MILA
Drejtues


Nënshkrimi : ___________________________

Nr kontakti: 068 202 3440
Email: progetto.speranza@gmail.com

Abonohu në newsletter

Please enable JavaScript in your browser to complete this form.
Kjo website është ndërtuar nga MilanoSites
cross