Përfundon me sukses cikli i trajnimeve “Ndërgjegjësim, Advokim dhe Përfshirje Sociale për PAK në Çështje Mjedisore”
Në kuadër të projektit “Reagim Aktiv: OSHC-të dhe Personat me Aftësi të Kufizuara për Mjedisin në Bashkinë Shkodër”, gjatë datave 18–19 nëntor dhe 11–12 dhjetor 2025, u zhvillua cikli katërditor i trajnimeve “Ndërgjegjësim, Advokim dhe Përfshirje Sociale për Personat me Aftësi të Kufizuara në Çështje Mjedisore”, në Qendrën Rinore “Atelie”, Bashkia Shkodër.
Trajnimi mblodhi persona me aftësi të kufizuara (PAK), përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike, familjarë dhe aktivistë. Përmes sesioneve informuese, diskutimeve interaktive dhe punës praktike në grupe, pjesëmarrësit zhvilluan njohuritë dhe aftësitë e tyre për identifikimin e problematikave mjedisore, advokimin dhe përfshirjen aktive në proceset e vendimmarrjes lokale.
Dita e Parë – 18 nëntor 2025
Ndërgjegjësimi mbi çështjet mjedisore dhe ndikimi te personat me aftësi të kufizuara
Dita e parë u fokusua në njohjen me çështjet mjedisore lokale dhe ndikimin e tyre në shëndetin, mirëqenien dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara. Aktiviteti nisi me përshëndetjet e organizatorëve të projektit, përfaqësuesve të Co-PLAN Tiranë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social në Bashkinë Shkodër.
Në aktivitet morën pjesë znj. Merushe Zeneli, përfaqësuese e Co-PLAN Tiranë, dhe zj. Edita Shoshi, përfaqësuese e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social në Bashkinë Shkodër. Në fjalët përshëndetëse u theksua rëndësia e bashkëpunimit institucional dhe e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në nismat për mbrojtjen e mjedisit.
Përmes shfaqjes së filmit të shkurtër “One Earth – Environmental Short Film” dhe sesioneve tematike, pjesëmarrësit diskutuan mbi ndotjen, menaxhimin e mbetjeve, mungesën e hapësirave të gjelbra dhe barrierat që personat me aftësi të kufizuara hasin në situata të ndryshme mjedisore.
Dita e Dytë – 19 nëntor 2025
Identifikimi i problemeve mjedisore dhe ndikimi në mirëqenien komunitare
Dita e dytë u përqendrua në identifikimin dhe analizimin e problematikave mjedisore në komunitetet e Bashkisë Shkodër. Përmes instrumenteve praktike, si “Harta e Problemeve Mjedisore Lokale” dhe matrica e prioritizimit, pjesëmarrësit evidentuan çështjet që kërkojnë vëmendje dhe ndërhyrje në nivel lokal.
Ndër problematikat e identifikuara ishin menaxhimi jo i duhur i mbetjeve urbane, ndotja e ajrit dhe ujërave, mungesa e hapësirave të gjelbra, përmbytjet sezonale dhe temperaturat e larta gjatë verës. Një vëmendje e veçantë iu kushtua vështirësive që personat me aftësi të kufizuara përballojnë në përdorimin e hapësirave publike dhe gjatë situatave të motit ekstrem.
Puna në grupe ndihmoi në përcaktimin e prioriteteve komunitare dhe krijimin e një baze për planifikimin e fushatave të advokimit.
Dita e Tretë – 11 dhjetor 2025
Advokimi mjedisor dhe pjesëmarrja në vendimmarrje
Dita e tretë trajtoi mekanizmat e advokimit mjedisor dhe mënyrat e ndikimit në politikat publike. Aktiviteti u përshëndet nga z. Luigj Mila, Drejtues i Shoqatës, i cili theksoi rëndësinë e angazhimit qytetar dhe të përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në mbrojtjen e mjedisit.
Nën drejtimin e trajneres Suela Ndoja, pjesëmarrësit u njohën me teknikat e identifikimit të vendimmarrësve, krijimit të partneriteteve, pjesëmarrjes në konsultime publike dhe hartimit të letrave të pozicionimit për çështje mjedisore.
Nëpërmjet punëtorive praktike, grupet hartuan propozime për problematika konkrete të komunitetit, duke zhvilluar aftësi për argumentimin e kërkesave dhe komunikimin me institucionet publike.
Dita e Katërt – 12 dhjetor 2025
Rreziqet mjedisore, qëndrueshmëria komunitare dhe reagimi emergjent
Dita e katërt u fokusua në identifikimin e rreziqeve mjedisore që prekin personat me aftësi të kufizuara dhe në zhvillimin e strategjive për rritjen e qëndrueshmërisë komunitare.
Gjatë sesioneve tematike u trajtuan ndotja e ajrit dhe ujit, menaxhimi i mbetjeve, ndryshimet klimatike, si dhe barrierat që ndikojnë në aksesueshmërinë, lëvizshmërinë dhe sigurinë e personave me aftësi të kufizuara.
Pjesëmarrësit punuan në grupe për të propozuar masa parandaluese, përmirësimin e informimit të komunitetit, aksesin në shërbimet emergjente dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet lokale. Një pjesë e veçantë iu kushtua përfshirjes aktive të personave me aftësi të kufizuara në planet e reagimit emergjent dhe në proceset e planifikimit të masave mbrojtëse.
Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrësit reflektuan mbi njohuritë e përfituara dhe hapat e ardhshëm të angazhimit komunitar. Aktiviteti u përmbyll me shpërndarjen e certifikatave të pjesëmarrjes në prani të z. Luigj Mila, Drejtues i Shoqatës, i cili vlerësoi angazhimin e pjesëmarrësve dhe kontributin profesional të trajneres Suela Ndoja.PhD(c)
Rezultatet dhe ndikimi i ciklit të trajnimeve
Përgjatë katër ditëve, trajnimi kontribuoi në:
Rritjen e njohurive mbi problematikat mjedisore lokale dhe ndikimin e tyre në mirëqenien e komunitetit.
Forcimin e kapaciteteve të personave me aftësi të kufizuara dhe organizatave të shoqërisë civile për advokim mjedisor.
Zhvillimin e aftësive praktike për identifikimin dhe prioritizimin e problemeve, si dhe hartimin e propozimeve konkrete.
Rritjen e ndërgjegjësimit mbi nevojën për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në politikat mjedisore dhe planet e reagimit emergjent.
Nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike.
Cikli i trajnimeve përbën një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të personave me aftësi të kufizuara si aktorë aktivë në mbrojtjen e mjedisit dhe në vendimmarrjen lokale.
Përmes projektit “Reagim Aktiv”, synohet të promovohet një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj sfidave mjedisore, duke siguruar që zëri, nevojat dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara të jenë pjesë e nismave për një komunitet më të sigurt, të aksesueshëm dhe të qëndrueshëm në Bashkinë Shkodë
DAY 1
DAY 2
DAY 3
DAY 4